Një sulm i ri amerikan në oqeanin Paqësor ka shkaktuar 14 viktima, pasi forcat e SHBA-së goditën katër anije të dyshuara për trafik droge, sipas njoftimit të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Operacioni, të hënën me urdhër të presidentit Donald Trump, po cilësohet si përshkallëzim i fushatës amerikane për “mbrojtjen e kufijve” nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Sipas Hegseth, anijet ishin në lëvizje përgjatë korridoreve të njohura të trafikut të drogës dhe transportonin sasi të mëdha narkotikësh. Nga goditjet u vranë tetë persona në sulmin e parë, ndërsa shtatë të tjerë në tre sulmet pasuese. Një person ka mbijetuar dhe është shpëtuar nga autoritetet meksikane të kërkim-shpëtimit rreth 400 milje larg qytetit bregdetar Acapulco.

Meksika ka konfirmuar se po kërkon për të mbijetuarin e vetëm, ndërsa presidentja Claudia Sheinbaum reagoi ashpër, duke deklaruar se “nuk pajtohemi me këto sulme” dhe ka kërkuar takim urgjent me ambasadorin amerikan.

“Duam që të respektohen të gjitha traktatet ndërkombëtare,” – tha Sheinbaum.

Sulmet kanë shkaktuar valë reagimesh në Amerikën Latine, ndërsa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre. Edhe në Kongresin amerikan, si demokratë ashtu edhe republikanë, kanë kërkuar sqarime mbi autoritetin e presidentit për t’i urdhëruar.

Sipas Pentagonit, ky është operacioni i katërt në Paqësor, ndërsa më shumë se 57 persona janë vrarë në total në goditje të ngjashme që nga fillimi i fushatës në Karaibe dhe Amerikën e Jugut.

Kolumbia dhe Venezuela e kanë dënuar ndërhyrjen, duke e quajtur “disproporcionale dhe jashtë çdo baze ligjore”.

Ndërkohë, SHBA ka vendosur aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford, në Karaibe, ndërsa presidenti Trump ka paralajmëruar se është “plotësisht i përgatitur” për të goditur edhe objektiva tokësorë, nëse do të jetë e nevojshme — çka do të shënonte një përshkallëzim të madh në konflikt.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu