Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen drejtpërdrejt në forcimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, përmes projektligjit amerikan Western Balkans Democracy and Prosperity Act. Nisma parashikon krijimin e një kuadri të gjerë veprimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me fokus ndërhyrjen konkrete në strukturat shtetërore që konsiderohen të prekura nga korrupsioni politik.

Sipas projektligjit, zbatimi i kësaj nisme do të bëhet nga Departamenti i Shtetit i SHBA, përmes programeve ekzistuese dhe atyre të reja, duke synuar mbështetje direkte për institucionet e drejtësisë. Në këtë kuadër, SPAK pritet të përfitojë asistencë teknike dhe mbështetje profesionale në hetimet ndaj korrupsionit qeveritar.

Projektligji thekson se korrupsioni politik shihet nga SHBA si pengesa kryesore për demokracinë funksionale, zhvillimin ekonomik dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. Për këtë arsye, parashikohet që asistenca amerikane për Shqipërinë të kushtëzohet me rishikimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit dhe me pranimin e një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me programet amerikane.

Ndryshe nga qasjet formale të deritanishme, ligji kërkon që angazhimi i qeverisë shqiptare të jetë i matshëm dhe i verifikueshëm, dhe jo thjesht deklarativ. Fokus i veçantë do t’i kushtohet luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, institucionet që administrojnë zgjedhjet dhe proceset e prokurimeve publike, të cilat konsiderohen sektorë me risk të lartë.

Nisma amerikane pritet të rrisë presionin institucional mbi autoritetet shqiptare dhe të forcojë rolin e SPAK në hetimet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu