Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar zhvendosjen e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, anija luftarake më e madhe në botë, drejt Karaibeve, në një lëvizje që përbën përshkallëzimin më të madh ushtarak në rajon gjatë viteve të fundit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka dhënë urdhrin për zhvendosjen e aeroplanmbajtëses nga Mesdheu në zonën e Komandës Jugore të SHBA-së, e cila përfshin Amerikën Qendrore, Jugore dhe Karaibet. Sipas Pentagonit, qëllimi është “të forcohen operacionet kundër trafikut të drogës” dhe të goditen organizatat kriminale ndërkombëtare.

Në javët e fundit, SHBA ka ndërmarrë 10 sulme ajrore ndaj anijeve të trafikut të drogës, përfshirë një operacion të premten ku, sipas Hegseth, u vranë gjashtë persona të lidhur me organizatën kriminale Tren de Aragua.

Megjithatë, operacionet kanë shkaktuar kritika dhe polemika të ashpra. Ekspertë dhe anëtarë të Kongresit amerikan kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e sulmeve, ndërsa disa senatorë kanë paralajmëruar se Presidenti Donald Trump po përdor ndërhyrjet ushtarake si presion politik ndaj regjimit të Nicolas Maduros në Venezuelë.

Sipas analistit të Chatham House, Christopher Sabatini, qëllimi nuk është një pushtim i drejtpërdrejtë, por “dërgimi i një sinjali frikësues” ndaj ushtrisë venezueliane dhe rrethit të ngushtë të Maduros për ta detyruar të largohet nga pushteti.

Në deklaratat e tij të fundit, Trump nuk e ka përjashtuar as “veprimin tokësor” në Venezuelë, duke thënë se SHBA tashmë “ka nën kontroll detin” dhe po shqyrton objektivat në tokë, përfshirë goditje të mundshme ndaj rrugëve dhe qendrave të përpunimit të kokainës.

Vendosja e USS Gerald R. Ford, e cila mund të mbajë deri në 90 avionë luftarakë, shihet si një sinjal i qartë force që mund të rrisë tensionet me Karakasit dhe të përshkallëzojë më tej marrëdhëniet SHBA–Venezuelë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu