Nesër është 1 qershori, dita ndërkombëtare e fëmijëve. Në shumë shkolla janë mbajtur sot aktivitetet e parapara, por jo edhe në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë”.
Sfida e përhapur tek fëmijët nëpërmjet rrjeteve sociale, ku ata duhet të lëndojnë njëri-tjetrin me mjete të forta, ka bërë që 17 nxënës të lëndohen. Prandaj, drejtoria e shkollës anuloi të gjitha organizimet.
Fatlum Berisha, drejtor i arsimit në Fushë Kosovë, ka thënë se fëmijët të cilët kanë gërvishtur duart e veta, janë inspiruar nga disa video në TikTok.
RTK ka tentuar të marrë opinionin e drejtorit të kësaj shkolle dhe prindërve, por ata nuk pranuan të deklarohen. Ndërkohë, përgjigje nëse rastet e tilla janë denoncuar, televizioni nuk mundi të marrë as nga policia.
Sidoqoftë, aktivitetet festive që ishin planifikuar për 1 qershor, sipas njoftimit të drejtorisë së këtij institucioni edukativo-arsimor, do të mbahen më 10 qershor, kur është edhe dita e shkollës.