Serbia ka refuzuar kërkesën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për vizitë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Veprimi i Beogradit zyrtar është kualifikuar shkelje e Marrëveshjes së Brukselit për vizitat zyrtare. E, politikanë shqiptarë në Luginë e Serbi kërkuan që komuniteti ndërkombëtar të reagojë karshi veprimeve të Serbisë, që i kualifikuan si pengesë për normalizimin e marrëdhënieve
Gjashtë ditë pasi ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, iu refuzua kërkesa për vizitë zyrtare në Preshevë, Serbia e ka ndaluar qëndrimin në Luginë edhe të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Vizita e tij pati për synim takimin me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Por, sipas Ministrisë së Jashtme, Qeveria në Beograd e refuzoi atë shkaku i qëndrimeve të ministrit Sveçla.
“Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi, sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës, si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, thuhet në reagim.
Në Ministri thanë se veprimet e tilla të Serbisë kanë për qëllim që t’i mbajnë në shkallë të lartë tensionet me Kosovën.
“Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”, thuhet në reagim.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e kualifikoi refuzimin e vizitës si shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Refuzimi i vizitës së paralajmëruar të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, dhe më herët i ministrit Hajrullah Çeku, nga Qeveria e Serbisë, është një tjetër provokim i hapur dhe një shkelje e qartë e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo qasje dëshmon përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të bllokuar çdo formë të mbështetjes institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të penguar dialogun dhe normalizimin. Veprime të tilla janë pjesë e një politike sistematike të diskriminimit dhe izolimit, që synojnë ta dobësojnë edhe më tej pozitën e shqiptarëve në këto komuna”, ka theksuar Kamberi.
Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe Ragmi Mustafi, politikan nga Lugina e Preshevës dhe njëherësh këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
“Ky veprim jo vetëm që pengon përpjekjet për normalizim dhe ndërtim të paqes, por është gjithashtu një përpjekje për të izoluar shqiptarët e Luginës nga mbështetja institucionale e Kosovës. Serbia vazhdon politikën e saj të diskriminimit sistematik, duke përdorur çdo mjet për të bllokuar angazhimet zyrtare të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në Luginën e Preshevës. Këto veprime janë një vazhdimësi e politikës së vjetër të tensioneve dhe provokimeve që përkeqësojnë jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Është e domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar të reagojë ndaj këtyre akteve diskriminuese dhe penguese. Shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të tyre themelore”, ka deklaruar Mustafi.
Serbia edhe në janar e pati refuzuar kërkesën e ministrit Sveçla për vizitë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Shqetësimin për refuzimin e vizitave të zyrtarëve të Kosovës në Luginë, kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se e ka shprehur në takimin e 17 dhjetorit në Bruksel me homologun nga Serbia, Petar Petkoviq, dhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.
Në kuadër të dialogut teknik, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për vizita zyrtare, dhe ajo ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të 2014-s.