Rreth 24 orë pas vrasjes së policit serb në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, autoritetet në Serbi njoftuan se e kanë vrarë të dyshuarin Faton Hajrizi. Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, e akuzoi Kosovën për organizimin e aktit. E zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, këtë akuzë e kualifikoi pjesë të makinerisë propaganduese të Serbisë.

Është vrarë Faton Hajrizi, i dyshuar për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e një tjetri në një qytet të Serbisë në kufi me Bosnjë-Hercegovinën.

yacht hotel sarande

Fillimisht, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, nuk përmendi identitetin e të vrarit. Por, emrin Faton e theksoi, kur bëri të ditur se do t’i kërkohet Gjermanisë ekstradimi i vëllait të tij, Artan Hajrizi, dokumentet e të cilit u gjetën në vendin ku ndodhi vrasja.

Për konfirmimin e identitetit të personit të vrarë Ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi sqarime nga autoritetet në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftim.

E, për identitetin u kumtua në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq tha se terroristi shqiptar Faton Hajrizi, i cili një natë më parë vrau policin Nikolla Krsmanoviq dhe plagosi policin Vjeskoslav Iliç në Lipniçki Shor, është likuiduar në atarin e Banja Koviljaça”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Hajrizi po kërkonte një mënyrë për të kaluar lumin Drina dhe se kur u përball me policinë, qëlloi dy të shtëna në makinën e policisë dhe shtatë të tjera në drejtim të pjesëtarëve të policisë. Në të theksohet se, ai u vra, gjatë kundërpërgjigjes së policisë.

Në ndjekje të Hajrizit janë përfshirë rreth 400 persona, anëtarë të departamenteve të ndryshme policore dhe kufitare të Serbisë.

Hajrizi, i arratisur para dy javësh nga Burgu i Smrekonicës së Vushtrrisë, dyshohet se udhëtoi nëpër Serbi me dokumente të vëllait të tij, Artanit, që para autoriteteve në Gjermani, ku ndodhet, deklaroi se Fatoni ia ka vjedhur pasaportën.

Daçiqi bëri të ditur se do ta kërkojë ekstradimin e Artan Hajrizit, nën dyshimin se ai ka bashkëpunuar në kryerjen e veprës.

“Rrëfimi se vëllai i tij ia ka vjedhur dokumentet është gënjeshtër. Përse do të vinte këtu, nëse ka qenë në Gjermani. Ai ia ka dërguar dokumentet dhe është bashkëpunëtor”, ka thënë Daçiq.

E tek e vizitoi vendin, ku, sipas autoriteteve serbe, është vrarë i dyshuari, Daçiqi iu referua atij si “terrorist shqiptar” teksa Kosovën e akuzoi për organizim të aktit.

Por, këto akuza zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i kualifikoi si produkt të makinerisë propaganduese të Serbisë.

“I gjithë konstatimi, e gjithë storia me të cilën ne po manipulojmë tani, më shumë se 24 orë, është një pasaportë e gjetur. Dhe mbi një pasaportë është ndërtuar një roman, që kjo pasaportë i takon një personi, ai ka ikë nga burgu… Pjesa tjetër përtej pasaportës është produkt i makinerisë propaganduese të Beogradit me në krye z. Ivica Daçiq. Mendoj se duhet të shihet si e tillë. Për Kosovën, personi që ka ikur është person i dënuar për vepra penale, është kriminel dhe vendin e ka prapa grilave. Në sytë e Kosovës ai është kriminel dhe në narrativën kosovare krimineli e ka vendin në burg”, ka thënë Bislimi.

Faton Hajrizi, i cili nëntë herë është arratisur nga burgjet e Kosovës, gati gjithë pasluftës ka qenë në burg. Fillimisht qe dënuar për vrasjen e një ushtari rus në Skenderaj e më pas edhe për një numër tentim vrasjesh e grabitjesh të armatosura./Koha Ditore

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu