
Qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës kanë refuzuar të flasin lidhur me pritshmërinë nga zgjedhjet e sotme që po mbahen në Kosovë.
Drejtues të Listës Serbe, së bashku me një numër të madh të qytetarëve që financohen nga Serbia, që në mëngjesi, në mënyrë të organizuar, duke thyer edhe rregullat zgjedhore, nisën për të votuar.
Gazetari i KosovaPress-it ka tentuar të marrë mendime nga disa qytetarë por shumica e tyre kanë refuzuar të përgjigjen.
Disa kanë thënë se nuk presin asgjë nga këto zgjedhje, ndërkohë ka të atillë që duan të fitojë Lista Serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për serbët në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen në vend dhe të votojnë për Listën Serbe. Sipas Vuçiq, pjesëmarrja e serbëve në votime dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre në Kuvend është mënyra e vetme për të siguruar që “serbët nuk do të dëbohen nga Kosova”.
“Po shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të votojnë, që të mos jetë e vështirë për ta. Që të mos jetë e vështirë për ata që kanë nevojë për një ditë pushimi për të shkuar në shtëpitë e tyre për të votuar. Dhe për të votuar për Listën Serbe, sepse Lista Serbe është garancia e vetme që Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova. Lista Serbe është e vetmja listë që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet,” tha Vuçiq.
Thirrja e presidentit serb ka pasur për qëllim nxitjen e serbëve në Kosovë për të marrë pjesë aktivisht në procesin zgjedhor, duke e parë atë si një mundësi për të mbrojtur interesat e tyre në një periudhë të pasigurisë politike.