Në Senatin Italian u miratua me 129 vota pro Marrëveshja e Pensioneve Shqipëri-Itali, e cila më herët kishte kaluar edhe në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian.

Në sallë ndodhej për të ndjekur votimin Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri të cilët u përshëndetën nga kryetarja e seancës dhe deputetët në sallë.

Përshëndesim autoritetet shqiptare në sallë dhe raportin e fortë të miqësisë që ekziston mes popujve shqiptarë dhe italianë, deklaruan senatorët në fjalën e tyre. Italia dhe Shqipëria kanë kaluar momentet e këqija së bashku dhe shkojnë përpara drejt së ardhmes rrezatuese.

“Këta punëtorë që punojnë ndoshta dhe punë që ne nuk i bëjmë duhet të kenë të drejta, jo të trajtohen si Seria B,” tha Tino Magni, Misto AVS.

Relatori Bruno Marton, i Movimento 5 Stelle, argumentoi votën pro duke i quajtur shqiptarët vëllezër.

Senatorët italianë vlerësuan edhe mundin dhe kontributin e shqiptarëve në Itali, integrimin në shoqëri që prej mbërritjes në brigjet e Barit. Ata vlerësuan rritjen e ekonomisë shqiptare që u mundësoi sipërmarrësve italianë të punojnë përtej Adriatikut.

“Marrëveshje të tilla janë të mirëpritura dhe vulosin miqësi të forta,” deklaroi Ivan Scalfarotto, i Italia Viva-Il Centro Renew Europe.

Përfaqësuesi nga Fratelli d’Italia përshëndeti ministrin Balla, prania e të cilit tha sot këti është një dëshmi e një serie kontaktesh direkte mes Italisë dhe Shqipërisë.

Nga marrëveshja për njohjen e dyfishtë të pensioneve përfitojnë gati 500 mijë shqiptarë. Marrëveshja për sigurimet shoqërore midis Shqipërisë dhe Italisë, e cila është nënshkruar më 6 shkurt 2024, pas 13 vitesh negociata, parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke u mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni.

Koordinimi i sigurimeve garanton që personat të cilët kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të marrë pensione.

Marrëveshja hyn në fuqi pas ratifikimit nga të dyja vendet dhe do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.

Negociatat nisën në 2010 dhe përfshinë takime të shumta ndërmjet qeverive të të dy vendeve, me vonesa për shkak të pandemisë.

Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu