
Në Senatin Italian po diskutohet Marrëveshja e Pensioneve me Italinë. Në rendin e ditës është pika e 5-të. Në sallë ndodhet Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, të cilët u përshëndetën nga kryetarja e seancës.
Nga marrëveshja për njohjen e dyfishtë të pensioneve përfitojnë gati 500 mijë shqiptarë. Marrëveshja për sigurimet shoqërore midis Shqipërisë dhe Italisë, e cila është nënshkruar më 6 shkurt 2024, pas 13 vitesh negociata, parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke i mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni.
Koordinimi i sigurimeve: Personat që kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të përfituar pensione.
Marrëveshja hyn në fuqi pasi të ratifikohet nga të dyja vendet dhe do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.
Negociatat nisën në 2010 dhe përfshinë takime të shumta ndërmjet qeverive të të dy vendeve, me vonesa për shkak të pandemisë dhe procedurave burokratike.
Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.