Ish-deputeti dhe një nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, deklaroi këtë të mërkurë (18 shkurt 2026) para trupit gjykues në Hagë se lufta çlirimtare e Kosovës ishte një domosdoshmëri historike dhe se ajo nuk mund të rishkruhet përmes proceseve gjyqësore.

Në fjalën e tij, Selimi theksoi se Serbia kishte shfaqur hapur qëllimet ndaj shqiptarëve dhe se krijimi i UÇK-së ishte një reagim ndaj represionit.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë apo të iknim nga shtëpitë tona? UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja”, u shpreh ai para gjykatës.

Selimi e cilësoi si nder bashkëluftimin me komandantin Adem Jashari, ndërsa shtoi se mbajtja e armëve ishte çështje mbijetese për shqiptarët e Kosovës.

“Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, deklaroi ai.

Sipas Selimit, mbështetja që NATO i dha UÇK-së është dëshmi se veprimet e saj ishin të drejta dhe të justifikuara në rrethanat e kohës.

Deklarata e tij vjen në vijim të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa një ditë më parë edhe Hashim Thaçi mbylli fjalën e tij duke theksuar se është i pafajshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu