
Prokuroria e Fierit sekuestroi pasuritë e tre personave si dhe kompanive të tyre në Fier, pasi dyshohet se krijuan shoqëri udhëtimi për transport të parave të fituara nga aktiviteti kriminal në Itali.
Prokuroria e Fierit njoftoi sot se sekuestroi pasuritë e shtetasve A.H. K.H., dhe M.H., si dhe shoqëritë në posedim të tyre të cilat dyshohet se përdoreshin si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.
Sipas prokurorisë hetimet mbi procedimin të vitit 2025, regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nisën pas dyshimeve se shtetasit, A. H, A. H, nëpërmjet familjarëve dhe shoqërive tregtare në posedim të tyre, ishin përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.
“Nga hetimet u dokumentua fakti se shtetasi A. H, në datë 24.05.2016, është arrestuar, pasi gjykata e apelit Milano/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. “Mbajtja e paligjshme e drogës” në bashkëpunim parashikuar nga legjislacioni Italian. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vendimin e datës 26.05.2016, caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, në funksion të ekstradimit të këtij shtetasi të proceduar në Itali, në kuadër të një grupi krimal i cili, paratë e fituara nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve i dërgonin në Shqipëri nëpërmjet linjave të autobuzëve për udhëtarë. Nga shqyrtimi i Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, rezulton se, shtetasi A.H, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet Italiane, për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale drogë””, njoftoi prokuroria.
Prokuroria nënvizoi më tej se “sipas të dhënave paraprake ende në verifikim hetimet e autoriteteve italiane tregojnë se, grupi kriminal i drejtuar nga shtetas shqiptarë, pjesë e së cilës ishte dhe A. H, ka dërguar në Shqipëri miliona euro të fituara në trafik droge, në periudha të ndryshme kohore. Këto para, dyshohet transportohen përmes linjave të autobusit Itali-Shqipëri apo nëpërmjet shoferëve të kamionëve të transportit ndërkombëtar.
“Në datë 13.06.2024, është kapur në flagrancë shtetasi J. Xh, i punësuar si shofer në subjektin “A. Travel”, i cili bënte linjën Fier – Siçili, që posedonte vlera monetare të cilat dyshohet se i ka sjellë nga Italia. Po kështu, në të njëjtën datë është kapur shtetasi A. L, i punësuar si shofer në shoqërinë A. Travel”, teksa sillte nga Italia vlerën 89.390 Euro. Shtetasi A. L, ka deklaruar se punon si shofer autobuzi në kompaninë “A. Travel” që prej 5 vitesh dhe bën linjën Shqipëri-Itali. Vlerën monetare të gjetur deklaron se ia ka dhënë një shtetas Italian në stacionin e Katanias për ta transportuar në Shqipëri kundrejt një pagese të caktuar që është një përqind e shumës”, njoftoi prokuroria.
Nga verifikimet e deritanishme, sipas prokurorisë “rezulton se në pronësi të shtetasëve A.H, A.H, A.H, M.H dhe K.H, rezultojnë në pronësi krahas pasurive të paluajtshme dhe shoqëri tregëtare të organizuar në formën e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar. Nga administrimi i kësaj prove, rezuloi se shtetasi A.H, ka dhënë në formë huaje tek shoqëria “A” sh.p.k vlera të konsiderueshme që nuk dokumentojnë origjinën e kësaj shumë”.
Prokuroria kërkoi vendosjen e sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme dhe e shoqëritë tregtare në zotërim të subjekteve si më poshtë:
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të H, M. H;
Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 135.60 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;
Pasuria pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 127 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;
Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 59 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;
Pasuria e llojit njësi me sipërfaqe 17.10 m2, me vendodhje Rr “Dritan Hoxha”, Tiranë;
Pasuria pasuri e llojit njësi me sipërfaqe 31 m2, me vendodhje Rr “Gjergj Arianiti”, Vlorë;
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A.” Shpk.,
1)Pasuria e llojit tokë arë me sipërfaqe 3949 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A I” shpk.,
Pasuria llojit tokë arë me sipërfaqe 1971 m 2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;
Pasuria e llojit tokë arë me sipërfaqe 3926 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier
Pasuria tokë arë me sipërfaqe 2942 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;
Pasuria e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3931 m2, në Sheq i Madh-Fier;
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të K. H, si më poshtë:
Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 55 m2, Bashkia Fier;
Pasuri me sipërfaqe 137 m2, e llojit apartament Bashkia Fier;
Sekuestrimin e kuotave të shoqërive tregëtare në zotërim të individëve objekt verifikimi:
Sekuestrimin e kuatoave të shoqërisë “A” sh.p.k;
Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A Travel” sh.p.k;
Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A Bus” sh.p.k;
Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A I”, sh.p.k;
Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “M Trans” sh.p.k.,
Prokuroria njoftoi se është duke verifikuar mbi pasuri të tjera të subjekteve të dyshuara dhe lidhjet e tyre me persona të tretë, të cilat po nënshtrohen verifikimeve.
Rezulton se vlerat monetare të cilat ka dyshime se janë injektuar në shoqëritë tregtare dhe pasuritë në zotërim të personave objekt verifikimi është disa milionë euro.
Ndërkohë që sipas raportit të ekspertit kontabël kanë rezultuar në një bilanc negativ për individët dhe shoqëritë tregtare./atsh







