
Tiranë, 16 Korrik 2025 – Në një deklaratë të drejtpërdrejtë nga Tirana, Sekretari i Përgjithshëm i Partive Popullore Europiane (PPE), Patrick Voller, shprehu kritika të ashpra ndaj zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri, duke i cilësuar ato si jo të drejta dhe të ndikura nga presioni politik dhe ekonomik.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD) dhe Qendra Martens, Voller vuri theksin te nevoja për standarde të qarta dhe integrim të bazuar në meritokraci dhe shtet të së drejtës, si parakushte për integrimin europian të vendit.
“Zgjedhjet e majit nuk ishin të drejta. Kjo është konfirmuar edhe nga raporti i OSBE/ODIHR. Nuk lodhemi së theksuari se integrimi nuk mund të jetë një shpërblim për stabilitetin, por një proces që mbështetet te vlerat dhe reformat reale,” – tha Voller.
Ai u shpreh se PPE do të vijojë të mbështesë Partinë Demokratike të Shqipërisë, si një forcë politike që ka historikisht orientim të qartë pro-europian dhe kontribut në integrimin euroatlantik të vendit, përfshirë anëtarësimin në NATO.
“Ne kemi nevojë për një PD të fortë dhe të bashkuar, që të udhëheqë Shqipërinë drejt një BE-je cilësore dhe me standarde të larta,” – u shpreh Voller, duke nënvizuar gjithashtu se të rinjtë shqiptarë dhe shtresat aktive të shoqërisë janë çelësi për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian.
Në deklaratën e tij, Voller përmendi gjithashtu situatën në rajon, duke theksuar rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe përkrahjen e PPE për vendet që avancojnë me reformat, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Ai shprehu shqetësimin për problemet e brendshme në Serbi dhe bllokimin institucional në Kosovë, duke shtuar se stabiliteti nuk duhet të vijë në kurriz të standardeve demokratike.
Duke folur për Shqipërinë, Voller theksoi se ndërtimi i një tregu të përbashkët europian dhe zbatimi i kushteve strikte janë të domosdoshme, dhe i kërkoi institucioneve europiane të jenë të qarta me taksapaguesit dhe qytetarët mbi mënyrën se si përdoren fondet për zgjerim.
Deklarata e Voller është një sinjal i qartë se PPE mbetet një mbështetëse e fortë e rrugës europiane të Shqipërisë, por jo me çdo kusht – vetëm me respekt të plotë për demokracinë, shtetin ligjor dhe zgjedhjet e lira.