
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në një seancë plenare të tensionuar për të vendosur mbi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku. Në sallë është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa jashtë godinës së Parlamentit opozita ka thirrur protestë kundër qëndrimit të mazhorancës.
Seanca pritet të votojë dy raportet e paraqitura në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet: raportin e shumicës socialiste që është kundër arrestimit të Ballukut dhe raportin e opozitës që mbështet kërkesën e SPAK. Sipas argumenteve të Partisë Socialiste, nuk ekziston rrezik arratisjeje, prishje provash apo përsëritje të veprës penale nga deputetja, ndërsa hetimet për çështjen e tenderëve mund të vazhdojnë pa vendosjen e masës së arrestit.
Për të rrëzuar kërkesën e SPAK mjaftojnë 71 vota në Kuvend, çka do të thotë se mazhoranca socialiste ka numrat për ta bllokuar autorizimin për arrestim.
Ndërkohë jashtë Parlamentit, Partia Demokratike ka organizuar protestë kundër vendimit të shumicës. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të votojë pro kërkesës së SPAK dhe akuzoi kryeministrin Rama se po mbron Ballukun dhe po dëmton rrugën europiane të Shqipërisë.
Për shkak të protestës, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie. Rreth 1500 efektivë janë vendosur në gatishmëri, ndërsa Kuvendi është rrethuar me barriera metalike dhe kordon policor. Në zonë janë pozicionuar edhe forca të ndërhyrjes së shpejtë, zjarrfikëse dhe mjete me ujë me presion.
Po ashtu është kufizuar qarkullimi në disa akse rrugore pranë Parlamentit, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se mund të ketë bllokime të tjera në varësi të zhvillimit të protestës.
Seanca dhe protesta pritet të shoqërohen me tensione politike, ndërsa votimi i sotëm do të përcaktojë nëse Kuvendi do t’i japë apo jo autorizim SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.



