
Deputetëve të Partisë Socialiste u është kërkuar që të paraqiten më herët nesër në Kuvend përpara seancës plenare ku pritet të diskutohet dhe të votohet kërkesa e SPAK për autorizimin lidhur me deputeten Belinda Balluku.
Burime bëjnë me dije se deputetët socialistë janë njoftuar të jenë të pranishëm në Kuvend që në orën 08:30, ndërsa rreth orës 09:00 pritet të zhvillohet një mbledhje e grupit parlamentar socialist në sallën e seancave.
Sipas të njëjtave burime, deputetëve të PS u është bërë e qartë se çdo mungesë në seancë do të konsiderohet shkelje e vendimit të grupit parlamentar.
Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar një protestë para godinës së Kuvendit në orën 10:00, e cila do të zhvillohet paralelisht me seancën plenare.
Gazetari Anesti Bajramemaj deklaroi se Partia Demokratike i ka lënë të hapur të gjithë skenarët e reagimit, ndërsa nuk përjashtohet edhe ngujimi i deputetëve demokratë brenda Parlamentit.
Sipas tij, para Kuvendit pritet të vendoset një podium dhe një ekran gjigant ku do të transmetohet se çfarë ndodh brenda sallës së seancave plenare.
Në krye të protestës pritet të jenë Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, ndërsa demokratët kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e një seance normale nëse mazhoranca voton kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.






