Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla argumentoi ndryshimin e komisioneve parlamentare, një çështje që e ka iniciuar katër vjet më parë në të njëjtin pozicion. Balla deklaroi se, në këtë fazë të zhvillimit të vendit, është e domosdoshme që të krijohen 11 komisione parlamentare, të cilat do të adresojnë çështje kyçe për vendin, duke përfshirë integrimin europian dhe reforma të tjera të rëndësishme.

“Nuk mendoj se duhet të konsultoheshim me opozitën para se Kuvendi të fillonte. Kuvendi ka zhvilluar deri tani dy seanca. Në seancën e tretë duhet të ngremë institucionet dhe, për pasojë, pas tyre të marrim vendimet përkatëse.
Besoj që biem të gjithë dakord që Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një organizim të ri me 11 komisione, të cilat reflektojnë edhe momentin historik në të cilin gjendemi.
Pra, nevojën që Kuvendi i Shqipërisë ka për t’iu përqasur marrëveshjes për anëtarësimin në Bashkimin Europian, dhe që më në fund kemi një komision parlamentar për diasporën.”

Sipas Ballës, kjo është një situatë e cila nuk është shumë e parashikuar nga rregullorja.
“Pra, na duhet që brenda kësaj jave të shqyrtohen dekretet për qeverinë, përbërjen dhe programin. Duhet të kemi gati edhe konferencën e kryetarëve për të diskutuar mbi kohën e debatit. Dhe, për të pasur konferencën e kryetarëve, duhet të kalojmë nga kryetarët e komisioneve.”

Komisioni për Integrimin Europian, të cilin Balla e konsideroi një prioritet për Shqipërinë, tha se duhet të drejtohet nga mazhoranca, për të siguruar një angazhim të qartë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke iu përgjigjur interesit të medias mbi postin që sapo i është caktuar, Balla tha se secili bën atë që di të bëjë më mirë:
“Secili bën atë që di të bëjë më mirë. Kështu që besoj se bashkë me ju dhe bashkë me të gjithë duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Dhe, pse të them të drejtën, jam shumë krenar për kohën që shërbeva si ministër, qoftë për kohën si Ministër i Brendshëm. Mendoj që kemi bërë një punë të shkëlqyer me të gjithë ata që kemi punuar bashkë me Kryeministrin. Edhe pjesa tjetër si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, është një detyrë që më pëlqen shumë.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu