
Tiranë, 8 shtator 2025 – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e çeljes së Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë, e cila do të nisë punimet më 12 shtator, në orën 10:00.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se Kuvendi është simbol i demokracisë dhe vendi ku duhet të pasqyrohet zëri i të gjithë qytetarëve shqiptarë. “Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të përfaqësojë vizionin dhe aspiratën e shqiptarëve për një Shqipëri evropiane,” tha Begaj.
Presidenti theksoi përgjegjësinë e deputetëve të rinj dhe atyre me përvojë për të ndjekur reformat, për të forcuar rolin e opozitës dhe për të ruajtur dialogun si bazë të bashkëjetesës demokratike.
Në mesazhin e tij, Begaj nënvizoi rëndësinë e një legjislacioni cilësor që reflekton nevojat e shoqërisë, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile, medias dhe botës akademike në procesin ligjvënës.
“Anëtarësimi në BE është një proces transformues që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur. Shqipëria duhet të kalojë nga reforma në drejtësi te drejtësia funksionale dhe e pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin,” theksoi Presidenti.
Ai shtoi se vendi do të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar partneritetin strategjik me BE, SHBA dhe NATO, si dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe shqiptarët në rajon.
“Secili prej jush ka marrë një besim të çmuar nga qytetarët. Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim. Shqiptarët presin rezultate konkrete, përmirësim të jetës së përditshme dhe mirëqeverisje që sjell mirëqenie,” u shpreh Begaj, duke uruar suksese për deputetët dhe legjislaturën e re.