
Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, u bëri thirrje aktorëve politikë në vend që të braktisin dhunën dhe përplasjet në rrugë, duke theksuar se protesta me molotovë nuk i shërben demokracisë dhe as integrimit europian. Duke komentuar protestat e dhunshme të opozitës, Schieder deklaroi se kultura politike në Shqipëri duhet të bëjë një hap përpara dhe betejat politike të zhvillohen me argumente në institucionet përkatëse, si nga opozita ashtu edhe nga qeveria. Ai vlerësoi mbështetjen e gjerë të qytetarëve për integrimin në BE, duke theksuar se mbi 90% e shqiptarëve e duan këtë proces, ndërsa nënvizoi se Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme në negociata dhe pritet të nisë mbylljen e kapitujve në pranverë. Sipas Schieder, reformat – veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar – nuk bëhen për të kënaqur Bashkimin Europian, por për të ndërtuar të ardhmen e vendit, ndërsa politika ka detyrimin të komunikojë qartë me qytetarët për rrugën europiane të Shqipërisë.






