
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, 70 vjeç, u shpall fajtor për komplot kriminal në një çështje që lidhet me marrjen e miliona eurove fonde të paligjshme nga ish-udhëheqësi libian, Muammar Gaddafi, për të financuar fushatën e tij presidenciale në 2007.
Gjykata kriminale e Parisit e shpalli të pafajshëm për të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës. Sipas prokurorisë, Sarkozy kishte lejuar bashkëpunëtorët e tij të kontaktonin zyrtarë libianë për të siguruar mbështetje financiare, ndërsa mbrojtja e tij pretendon se çështja ka motivime politike.
Gjykatësja Nathalie Gavarino theksoi se nuk kishte prova të mjaftueshme që Sarkozy të ishte përfituesi direkt i fondeve të paligjshme. Ai pritet të marrë dënimin më vonë gjatë ditës.
Hetimi për këtë rast nisi në 2013, pas akuzave të Saif al-Islam Gaddafi, ndërsa biznesmeni libanez Ziad Takieddine ka pretenduar se kishte prova se fushata e Sarkozy-t u financua nga Tripoli me rreth 50 milion euro.
Çështja ka prekur edhe gruan e tij, Carla Bruni-Sarkozy, e akuzuar për fshehje të provave, por e cila mohon akuzat.
Sarkozy është i pari ish-president francez që ka marrë një dënim me burg dhe ka qenë objekt i disa hetimeve të tjera kriminale që nga humbja e zgjedhjeve në 2012.