Një histori e rrallë humanizmi dhe sakrifice po rikthehet në vëmendjen e publikut përmes dokufilmit “Santa Dalila”, firmosur nga gazetarja italiane Anna Langone. Rrëfimi i sjellë fillimisht nga La Gazzetta del Mezzogiorno tregon jetën dhe fundin tragjik të Dalila Lafelice, një vajzë nga Puglia, e cila humbi jetën nën një tren ndërsa përpiqej të shpëtonte një qen.

Docufilmi është shfaqur së fundmi në premierë kombëtare në Matera Film Festival dhe, ndonëse titulli mund të sugjerojë një vepër fetare, “Santa Dalila” trajton historinë nga një këndvështrim laik, duke ndriçuar jetën e jashtëzakonshme të një vajze të zakonshme, por me një zemër të jashtëzakonshme.

Dalila kishte lindur në San Severo dhe njihej për përkushtimin e saj ndaj të tjerëve. Që në moshë të re ajo përjetoi një tragjedi të rëndë: në moshën 18-vjeçare, një aksident rrugor i mori jetën dy bashkëmoshatarëve dhe e detyroi të kalonte një rehabilitim të gjatë. Por kjo përvojë nuk e mbylli në vetvete – përkundrazi, i hapi rrugë një jete të dedikuar ndihmës për të tjerët.

Dalila punonte për të mbështetur nënën dhe pesë motrat, ishte dhuruese gjaku dhe kujdesej për qen endacakë, të cilët i strehonte dhe i sistemonte përmes familjarëve e miqve.

Më 9 gusht 2017, në stacionin hekurudhor të linjës Termoli–Foggia, Dalila u përball me momentin fatal: një qen u hodh nga makina dhe vrapoi drejt shinave. Pa u menduar për trenin që po afrohej, ajo tentoi ta shpëtonte. Tragjedia ndodhi brenda pak sekondash.

Sipas autores së docufilmit, historia e Dalilës përbën edhe bazën e një propozimi për lumturimin e saj. Kjo nismë mbështetet në rritjen e figurave të shenjta laike dhe të rinjve, të promovuar nga Kisha Katolike vitet e fundit, si dhe në një Letër Apostolike të Papa Françeskut të korrikut 2017, vetëm pak ditë para vdekjes së Dalilës.

“Santa Dalila” nuk është vetëm një film, por një thirrje për reflektim mbi altruizmin, sakrificën dhe vlerën e jetës njerëzore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu