47 liderë dhe 5 përfaqësues të lartë të institucioneve të BE kanë zbritur në Tiranë për punimet e Samitit të Komunitetit politik Europian. Liderët u pritën nga kryeministri Rama, ndërsa në fokus të diskutimeve do jetë lufta në Ukrainë, por edhe emigracioni i paligjshëm. Punimet e samitit mbahen në shtëpinë e Europës, në sheshin Skënderbej

 

Tirana është kthyer në epiqendrën e Europës, ku për herë të parë pret sesionin e gjashtë të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Një nga një, liderët parakaluan në tapetin e kuq dhe u pritën nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk kishte ‘harruar’ të vishte as atletet me numrin 5 dhe yllin e BE-së që e shoqëruan gjatë një muaji në fushatë zgjedhore.

Nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të BE-së, presidentja e KE Ursula von der Leyen, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kalas, shefi i NATO-s, Mark Rutte, presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, e deri tek udhëheqësit e Spanjës, Pedro Sánchez, kryeministri hungarez Viktor Orban, ai britanik Keir Starmer, i cili një ditë më parë u prit nga Rama edhe në një vizitë zyrtare. Nuk mungoi as presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe as liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Momenti i veçantë mes Ramës dhe Girogia Melonit nuk u shpëtoi kamerave, ku sërish kreu i qeverisë iu ul në gjunjë ‘motrës’ italiane, siç e cilëson ai. Momentin, edhe Meloni zgjodhi ta kalojë me batuta “E bën që të jetë i gjatë sa unë”. Samitit me në fokus luftën në Ukrainë, nuk mund t’i mungonte presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnky, i cili rikthehet për herë të dytë në Tiranë.

Presidenti francez Emmanuel Macron zbriti i fundit në tokën shqiptare sot, për t’u rikthyer në Shqipëri jo vetëm për punimet e samitit, por edhe për një vizitë të dytë zyrtare në vendin tonë, që do të zhvillohet nesër.

Udhëheqësit do të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa mesazhet ishin të qarta nga shefi i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se “është momenti për t’i dhënë fund këtij ngërçi dhe për të arritur një marrëveshje të rëndësishme. Putin nuk do të përpiqet më të aneksojë edhe një milje apo km tjetër nga Ukraina.”

Presidentja e Komisionit Europian paralajmëroi sanksione të reja ndaj Ukrainës, ndërsa shefja e diplomacisë së jashtme të BE-së, Kaja Kallas krahas mesazhit për luftën në Ukrainë, zgjodhi të vlerëojë edhe Shqipërinë për progresin në reforma. Mesazh ky që vjen vetëm 5 ditë pasi kryeministri Edi Rama mori fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Punimet e samitit mbahen në sheshin “Skënderbej”, në shtëpinë e Europës, një strukturë e ngritur posaçërisht për këtë takim, e realizuar me piktura të fëmijëve nga i gjithë vendi. Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Samiti përmbyllet me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Diskutimet e samitit do të strukturohen në tryeza të larta tematike:

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane.

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu