Për herë të parë do të mbahet në Shqipëri këtë fundjavë Samiti Ekonomik Ndërkombëtar, “E ardhmja e Investimeve në Evropë”, i cili do të mbledhë investitorët më me ndikim në rang global.

Ky forum me rëndësi ekonomike në nivel botëror, mbledh në Tiranë drejtues vendesh dhe kompani të njohura biznesi, do të inagurohet nga kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në datat 16-17 Maj në fokus të këtij takimi që do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, është thirrja për kontinentin evropian që të bashkëpunojë dhe veprojë në kushtet kur gjendet përballë transformimit ekonomik dhe tensioneve gjeopolitike.

Me një ekonomi globale në zhvillim dhe mes aleancave në ndryshim kontinenti përballet me një shans për të ripohuar rolin e tij si një fuqi tregtare e qëndrueshme dhe strategjike. Ndër të tjera në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar, “E ardhmja e Investimeve në Evropë”, do të ketë diskutime edhe për ekonominë globale që po përballet me një përzierje komplekse inflacioni të vazhdueshëm, nivelesh të larta borxhi dhe fragmentimi gjeoekonomik që kërcënojnë rritjen afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Teksa ndryshimet gjeopolitike ripërcaktojnë aleancat, po shfaqen mundësi të reja për investime që do të shërbejnë si një urë mes tregjeve të vendosura dhe atyre dinamike në zhvillim e sipër. Ballkani dhe veçanërisht Shqipëria ka parë nivele rekord të investimeve të huaja direkte vitet e fundit, ku vetëm në 2024 vendi ynë që ka tërhequr 1.58 miliardë Euro nga këto investime në sektorë si turizmi, infrastruktura dhe energjia e rinovueshme.

Kjo e fundit do të ketë një vëmendje të madhe në samit, pasi Europa përballet me sfida për të siguruar të ardhmen e saj energjetike, duke balancuar nevojën për siguri energjetike me objektiva ambicioze klimatike dhe kërkesat për çmime më të përballueshme të energjisë.

Sektori i turizmit do të ketë një fokus të rëndësishëm në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar, “E ardhmja e Investimeve në Evropë”, që do të mbahet në Tiranë.

Nga Ballkani në Lindjen e Mesme, qendrat e reja turistike po tërheqin vëmendjen e botës me rritje dyshifrore dhe numër rekord vizitorësh. Në vitin 2025, vetëm rajoni i Ballkanit parashikohet të tejkalojë 12 milionë flukse ndërkombëtare, përfshirë dhe Shqipërinë./Klan News

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu