
Një problem serioz ka përfshirë matematikën politike shqiptare: Sali Berisha ka shpallur alarmin kombëtar – nuk i dalin më llogaritë! Dhe jo, nuk bëhet fjalë për llogari bankare, por për llogari kutish votimi. Konkretisht, për votat e diasporës, të cilat, sipas tij, janë manipuluar aq bukur sa po duket sikur janë bërë me Excel nga ndonjë student me tre-shin në statistikë.
Në një konferencë për shtyp me tone dramatike, Berisha zbuloi se në disa kuti në Fier, PD merrte fiks 21 vota, ndërsa PS merrte 300+, 340+, 346… të gjitha në rritje si inflacioni. A thua ndonjë patronazhist po i jepte dietë kutive: 21 për ty, 346 për mua!
“Përsëri 21! Përsëri 21! Vallë jemi në ndonjë lojë me loto?” – u shpreh i zemëruar Berisha, ndërsa me siguri ndonjë militant pranë tij po përpiqej të llogariste shanset statistikore për të marrë saktësisht të njëjtin rezultat në pesë kuti me radhë.
Vlora s’mbeti pas. Aty PD mori 26 vota, thuajse si fiksimi i një termometri të thyer. Nga ana tjetër, PS mori mbi 2000 vota në një kuti, gjë që sipas opozitës tregon se jo vetëm votat erdhën nga jashtë, por edhe votuesit, ndoshta me charter special.
Dhe ndërsa Berisha paralajmëron se do nxjerrë mijëra prova, ne po presim të shohim ndonjë kalkulator që s’i del tymi në fund të seancës.
Por çështja mbetet kjo: Janë shifrat të manipuluara? Apo thjesht janë numra që nuk e duan Saliun?
Përgjigjen e plotë pritet ta japë Koalicioni për Zgjedhje të Ndaluara nga Logjika.