Në burg mund të humbësh lirinë, por jo… flokët! Kështu duket të jetë edhe rasti i ish-deputetit Ervin Salianji, i cili gjatë kohës që qëndroi pas hekurave, nuk doli vetëm me përvojë të re politike, por edhe me qime të reja në kokë!

Zv/drejtori i Burgjeve, Feim Sufaj, ka sqaruar në A2CNN se Salianji e ka mbjellë… jo rrënjët e korrupsionit, por të flokëve, dhe këtë e ka bërë krejt ligjërisht:

“Çdo i burgosur mund të dalë për vizita. Nuk ka kufizim. Mund të shkojë edhe në klinikë private për trajtim estetik. Sigurisht me masa sigurie.”

Pra, në Shqipëri jo vetëm që ke burgje me ajër të pastër dhe kuzhinë me shef, por edhe “paketë mirëqenieje” për skalpin. Dhe të mendosh që shumica mezi marrin një aspirinë në QSUT…

Sufaj shtoi se:

“Në raste të veçanta, kur shërbimet nuk i ofron spitali publik, të burgosurit lejohen të shkojnë në privat.”

Që do të thotë: nëse të bie floku nga stresi i burgut, shteti të ndihmon ta rigjenerosh – për veten tënde, për Instagramin dhe për fushatën që të pret sapo të dalësh!

Mesa duket, trajtimi VIP për të dënuarit VIP vazhdon. Burgjet tona nuk janë më institucione ndëshkuese, por klinika “wellness-i” për politikanë të stresuar.
Rroftë drejtësia që të zbukuron!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu