
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Venezuelë, duke e cilësuar largimin nga pushteti të presidentit Nicolás Maduro si një lajm pozitiv jo vetëm për popullin venezuelian, por edhe për shqiptarët.
Sipas Berishës, forcat ushtarake amerikane dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë marrë vendimin për rrëzimin dhe arrestimin e diktatorit të Venezuelës, si dhe për evakuimin e tij jashtë vendit, me qëllim përballjen me drejtësinë.
“Largimi i Maduros nga pushteti, këtij diktatori të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanërisht për popullin e Venezuelës që vuajti për vite me radhë nën regjimin e tij”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se këto zhvillime janë një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët, sipas tij, po përjetojnë një regjim të ngjashëm në Shqipëri, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, të cilin Berisha e cilësoi si “klon të Maduros”, i quajtur nga media ndërkombëtare “Ramaduro”.
Berisha deklaroi se rrëzimi i regjimit në Venezuelë përbën një inkurajim të madh për opozitën shqiptare që të përmbushë misionin e saj politik: largimin nga pushteti të një qeverisjeje që, sipas tij, qëndron mbi votën e grabitur, lidhjet me krimin dhe drogën, si dhe vjedhjen e pasurive të shqiptarëve.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal edhe te situata në Iran, duke theksuar se populli iranian është ngritur në protesta kundër regjimit të ajatollahëve, ndërsa qytete të tëra janë përfshirë nga demonstrata të fuqishme.
“Le të urojmë që Ajatollahu dhe suita e tij të kenë sa më shpejt fatin e Maduros”, përfundoi Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët.







