Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë vendosi sot të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e parlamentit kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Vendimi erdhi pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që kërkoi masë disiplinore ndaj tij për shkak të deklaratave të bëra në seancë ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Sipas mazhorancës, Berisha ka cenuar etikën parlamentare dhe ka përdorur gjuhë fyese gjatë debatit mbi projektligjin për barazinë gjinore, ku akuzoi ambasadorin Gonzato se “po imponon bindjet e tij personale” në procesin ligjvënës.

Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha tha ndër të tjera:

> “Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE-së, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Ambasadori Gonzato kërkoi votimin e ligjit, por le të tregojë cilat direktiva të BE-së kërkojnë një gjë të tillë.”

 

Ai shtoi se projektligji “godet familjen” dhe se “është një nismë e grupeve sorosiane që po imponojnë agjendat e tyre ideologjike”.

Pas vendimit të Sekretariatit të Etikës, Berisha reagoi në sallën e Kuvendit, duke sqaruar se nuk kishte asnjë qëllim fyes ndaj askujt dhe se deklaratat e tij ishin keqinterpretuar.

> “Fjala binaritet nuk është fyerje. Binar quhet burri dhe gruaja. Nuk ekziston asnjë direktivë e BE-së për largimin nga binariteti dhe adaptimin e identiteteve të shumëfishta. Të thuash të kundërtën është injorancë,” – u shpreh kreu i opozitës.

 

Debati mes mazhorancës dhe opozitës mbi ligjin për barazinë gjinore është përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit, pasi edhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, e ka cilësuar deklaratën e Berishës “sulm të papranueshëm” ndaj përfaqësuesve diplomatikë të Unionit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu