Bruksel, 16 maj 2025 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim në Samitin e Unionit Demokratik Ndërkombëtar (IDU), ku denoncoi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri si një “farsë të paralajmëruar” të orkestruar nga, siç e cilësoi ai, “i vetmi narkoshtet në Europë”.

Në fjalën e tij para Bordit Ekzekutiv të IDU-së, Berisha theksoi se procesi zgjedhor u zhvillua nën një klimë “terrori politik të paprecedentë”, duke përmendur arrestimet, ndjekjet penale dhe heqjen e mandateve për drejtues të opozitës dhe deputetë të saj. Sipas tij, krimi i organizuar u përdor gjerësisht për të ndikuar rezultatin përmes presionit dhe blerjes së votave.

“Këta individë kishin për detyrë të sillnin në Parlament 28 deputetë përmes pagesave dhe terrorit. Kandidatët më të votuar sot janë anonimë të bandave,” – deklaroi Berisha.

Ai akuzoi qeverinë se ka përdorur fondet publike në mënyrë të paligjshme për të ndikuar në votë, përfshirë shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët në mes të fushatës, një amnisti fiskale mbi 200 milionë euro, punësime masive në administratë dhe një fushatë patronazhistësh që “rikthen frymën e diktaturës”.

Kreu i PD-së denoncoi gjithashtu kontrollin e qeverisë mbi mediat, bllokimin e TikTok-ut dhe përdorimin e drogës si mjet elektoral. Ai u ndal tek mbështetja shtetërore për aktivitetin Giro d’Italia, që sipas tij u përdor si propagandë elektorale.

“Zgjedhjet u zhvilluan në një narkoshtet. Vetëm gjatë fushatës u dhanë 138 licenca për mbjellje kanabisi,” – theksoi Berisha.

Duke iu referuar raportimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë si OSBE, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, Berisha vlerësoi se vërejtjet e tyre pasqyrojnë realitetin e denoncuar nga opozita.

Në përfundim, ai kërkoi mbështetje të drejtpërdrejtë nga IDU, PPE, CDI dhe qeveritë mike për të garantuar të drejtën e shqiptarëve për të votuar të lirë, duke theksuar se solidariteti ndërkombëtar është vendimtar për ndryshimin.

“Nëse nuk i kthejmë shqiptarëve të drejtën për të votuar, vendi po zhduket. Mbi 1 milion shqiptarë janë larguar në një dekadë,” – paralajmëroi Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu