
Sali Berisha mbajti një fjalim me tone të ashpra në Kuvend, ku akuzoi mazhorancën për mbrojtje të korrupsionit dhe bllokim të drejtësisë, duke përdorur termin filozofik “e keqja banale” për të përshkruar deputetët që, sipas tij, zbatojnë urdhrat politikë pa reflektim.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se parlamenti “nxin çdo sekondë” për shkak të, siç u shpreh ai, refuzimit për të lejuar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën e akuzoi për përfshirje në afera korruptive.
Ish-kryeministri iu referua filozofes Hannah Arendt dhe konceptit të saj mbi “banalitetin e së keqes”, duke thënë se personazhet e këtij fenomeni janë “njerëz që nuk mendojnë dhe veprojnë si automata”. “E keni të shkruar secili prej jush në ballë – e keqja banale,” tha ai nga foltorja.
Berisha akuzoi gjithashtu deputetët e shumicës se po përdorin imunitetin parlamentar si mburojë për korrupsionin dhe se po injorojnë vështirësitë ekonomike të qytetarëve. Sipas tij, vendime të tilla rrisin zemërimin publik dhe minojnë besimin te institucionet.
Në një tjetër moment të fjalimit, ai paralajmëroi kundër çdo presioni ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke pretenduar se po dërgohen mesazhe kërcënuese ndaj tyre. “Mos kërcënoni prokurorët dhe gjykatësit,” u shpreh Berisha, duke shtuar se përgjegjësia do të bjerë mbi qeverinë nëse ndodh diçka ndaj tyre.
Fjalimi u mbyll me një thirrje drejtuar qytetarëve për reagim, ndërsa lideri i opozitës kërkoi largimin e asaj që e cilësoi “një e keqe e tmerrshme që ka mbërthyer Shqipërinë”.



