Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së opozitës në Tiranë, duke akuzuar agjentë të infiltruar të policisë kriminale se kanë mashtruar protestuesit, duke u thënë se në shtëpinë e ish-diktatorit Enver Hoxha banon kryeministri Edi Rama.

Sipas Berishës, ky informacion i rremë ka nxitur reagimin e turmës drejt asaj ndërtese. Ai theksoi se “e gjithë beteja ishte shpërthim urrejtjeje ndaj Edi Ramës dhe jo ndaj ndërtesave”, duke shtuar se kryeministri nuk banon në atë godinë, por në Surrel ose, sipas tij, “tek vila e Mehmet Shehut”.

Berisha deklaroi se protestuesit zhvilluan një “revoltë paqësore”, ndërsa akuzoi drejtues të Policisë së Shtetit për dhunë ndaj qytetarëve.

“Topat e ujit i drejtoi ndaj meje”

Në një tjetër deklaratë, Berisha pretendoi se gjatë protestës forcat e rendit përdorën topa uji kundër tij dhe protestuesve. Ai e cilësoi ndërhyrjen si të pajustifikuar dhe theksoi se protesta, sipas tij, shënoi një pjesëmarrje rekord.

“Arritëm një rekord të ri në protestën tonë. Asgjë nuk na ndal pa e larguar Edi Ramën”, u shpreh ai, duke dënuar atë që e quajti dhunë të urdhëruar nga kryeministri.

Fishekzjarret te vila e ish-diktatorit

I pyetur mbi incidentin me fishekzjarre pranë vilës së ish-diktatorit, ku sipas raportimeve në rrjete sociale ndodheshin edhe artistë të huaj, Berisha tha se nuk kishte dijeni për praninë e tyre.

Ai theksoi se, sipas informacionit që kishte marrë, disa persona të veshur me uniforma të ngjashme me ato të policisë kriminale kishin orientuar protestuesit drejt godinës, duke pretenduar se aty banonte kryeministri. “Ato fishekzjarre ishin kundër Edi Ramës, ishin një akt urrejtjeje ndaj tij”, deklaroi Berisha.

“Protestuesit të gatshëm të nisen drejt Surrelit”

Në fund, Berisha paralajmëroi se protestat do të vijojnë në forma të ndryshme, duke theksuar se opozita do të organizojë “protestat më të shumëllojta dhe me jehonën më të madhe”.

Ai shtoi se protestuesit janë të gatshëm të nisen me të drejt Surrelit, por theksoi se çdo veprim do të ketë planifikimin e vet. “Nuk nisem pa plan. Kur të bëhet plani, nisemi dhe e bitisim ne”, u shpreh Berisha.

Deklaratat u bënë në kuadër të disa njoftimeve për shtyp të shpërndara nga Zyra e Medias dhe Komunikimit e Partisë Demokratike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu