Fisi Lici një nga më të njohurit në Shkodër është përfshirë në shumë ngjarje kriminale, ku pasojat kanë qenë deri në viktima.
Më i fundit (sot 30 tetor), Hamza Lici, i cili u vra në atentatin me armë zjarri në Dobraç të Shkodrës, teksa ishte duke udhëtuar me makinë me Arlind Bushatin, ky i fundit mbeti i plagosur.
Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili akzuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në maj 2021.
Ibrahim Lici u arrestua vitin e kaluar në Turqi dhe më pas lirua, pasi u refuzua ekstradimi.
Hamzai, viktima e sotme, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.
Emri i tij doli në vitin 2017 me serinë e gjobave ndaj bizneseve në Shkodër. Në atë kohë policia zhvilloi operacion duke arrestuar një grup personash, mes tyre edhe Ibrahim Licin, por që më pas u lirua.
Ibrahim Lici ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017 pasi drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër. Muhamet Lici u dënua me 13 vite burg, ndërsa gjykata e la të lirë Ibrahim Licin.
Po këtë periudhë nis saga e përplasjeve. Një prej tyre me fisin Bajri dhe Bilali. Ish-miq të Licëve dekada më parë. Dhe gjërat u përkeqësuan së tepërmi kur Astmer Bilalit, i arrestuar prej disa vitesh, i vranë babanë dhe xhaxhanë në Shkodër. U dyshua për fisin Lici, por provat munguan.
Seritë e konflikteve mes bandave në këtë qytet kanë prodhuar që nga 2017 të paktën 20 të vrarë deri tani dhe dhjetëra atentate.
Më e fundit e përplasjeve ishte vrasja pas futjes në kurth të Endri Mustafës në vitin 2021 te lagja “Livadhet”. Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ky i fundit tha se kishte alibi dhe se vrasjen e kishin kryer Bilalët, duke ia hedhur atij me inskenim fajin.
Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, babai dhe xhaxhai i kampionit të boksit Astmer Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish-kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër. Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 Prilli”.
Si nisen përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri dhe saga e përgjakshme që nga 2018
Krimi është vijim i përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje që ka regjistruar disa viktima. Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.
Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.
Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.
Më 14 nëntor po 2018 vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.
Më 20 mars 2019 ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.
Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.
Një nga viktimat e sotme, Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit, i shtohet kësaj serie hakmarrëse të nisur prej shumë vitesh dhe që duket se nuk do të gjendet paqe as qetësi mes tyre…/Panorama