
Të gjithë qytetarët të cilët bëjnë në mënyrë digjitale pagesa faturash, transferta parash apo edhe aplikime e shlyerje të kësteve të kredive, do të përfitojnë nga komisione më të ulëta pas vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë.Nëse më parë qytetarët për pagesa deri në 20 mijë lekë, nuk kishin komisione tashmë ky tavan është rritur në 40 mijë lekë duke u dhënë më shumë mundësi qytetarëve. Për transfertat më të mëdha deri në 1 milionë do të kenë një komision prej 100 lekësh nga 250 lekë që ka qenë më parë, ndërsa deri në 5 milionë, 500 lekë nga 750 lekë që paguhet në e-banking.
Ekspertët e ekonomisë e shohin si një vendim të rëndësishëm në dobi të qytetarëve duke i nxitur në rrugët digjitale dhe largimin nga cashi, ndërsa shihet si një element i mirë drejt sigurisë financiare.
Ndalur tek vendimi i ndërmarrë po nga Banka Qendrore për pikat e këmbimit valuator, ekspertët e tregut e shohin si një masë të paplotësuar, teksa kriteret sipas tyre duhet të fillojnë që nga njësitë aktuale.
Modernizimi i sistemit të pagesave shihet si një hap thelbësor drejt përmbushjes së kritereve për integrimin në Bashkimin Evropian./Tema