28 tetor 2025 – Rusia ka hedhur një tjetër provokim në arenën ndërkombëtare të futbollit, duke deklaruar se është gati të marrë vendin e Italisë si organizatore e Kampionatit Europian “Euro 2032”, nëse UEFA vendos t’i heqë të drejtën Azzurrëve për shkak të mungesës së kushteve të stadiumeve.

Deklarata është bërë nga presidenti i Federatës Ruse të Futbollit (RFU), Alexander Dyukov, në një intervistë për portalin sportiv rus Sport.ru.

“Rusia është e gatshme të presë Euro 2032 nëse do t’i hiqet Italisë. Kemi infrastrukturën dhe përvojën e duhur për një ngjarje të tillë”, – tha Dyukov.

Sipas mediave ruse, UEFA ka refuzuar nëntë nga dhjetë stadiumet italiane të propozuara për ndeshjet e turneut që parashikohet të zhvillohet mes Italisë dhe Turqisë.
Nëse konstatimet mbeten të njëjta, UEFA mund t’ia kalojë organizimin vetëm Turqisë.

Edhe Rustem Saymanov, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ruse dhe drejtor i ekipit Rubin Kazan, deklaroi për agjencinë TASS se Rusia mund të aplikojë për organizimin e Euro 2028 ose Euro 2032.

“Jemi të hapur dhe të gatshëm. Jeta vazhdon, nuk duhet të lejojmë që UEFA dhe FIFA të na izolojnë përgjithmonë. Ka ende kohë dhe situata mund të ndryshojë,” – u shpreh Saymanov.

Megjithatë, Rusia vijon të jetë e përjashtuar nga të gjitha garat e UEFA-s dhe FIFA-s që prej shkurtit 2022, pas pushtimit të Ukrainës.

Problemet me stadiumet italiane

Moska e ka lidhur “sfidën” e saj me problemet strukturore që përballet Italia në përgatitjen e infrastrukturës për Euro 2032.
UEFA pritet të zgjedhë 10 stadiumet zyrtare në tetor 2026 – pesë në Itali dhe pesë në Turqi – por deri më tani, vetëm “Allianz Stadium” në Torino plotëson standardet e kërkuara.

Stadiume të tjera si “Olimpico” në Romë dhe “Artemio Franchi” në Firence kërkojnë rikonstruksion të plotë, ndërsa “San Siro” në Milano është refuzuar nga UEFA për mungesë të kushteve teknike.

Kreu i Komitetit Olimpik Italian, Giovanni Malagò, ka bërë thirrje për ndërtimin e një stadiumi të ri në Milano, duke e quajtur atë “të domosdoshëm për të ardhmen e sportit italian”.

“Bota po shkon në atë drejtim. Është një fakt që Milano duhet të ketë një impiant të ri modern dhe konkurrues,” – deklaroi Malagò.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu