
Rusia ka sulmuar Ukrainën me 805 dronë dhe 13 raketa gjatë natës.
Forcat ajrore të Ukrainës thonë se 751 dronë u rrëzuan. Si pasojë e sulmeve të paktën 2 persona janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur.
Një nga viktimat ishte një foshnjë njëvjeçare, trupi i të cilës u nxor nga rrënojat, tha kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko. Besohet gjithashtu se është vrarë edhe një grua e re.
Tkachenko u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore dhe deklaroi se Rusia “po godet qëllimisht objektet civile”.
Gjithashtu nga sulmet është dëmtuar ndërtesa e Kabinetit në Kiev, e cila është ndërtesa e parë qeveritare që goditet.
Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko thotë se çatia dhe katet e sipërme të ndërtesës së kabinetit u dëmtuan.
“Armiku terrorizon njerëzit tanë në të gjithë vendin çdo ditë”, shkruan ajo në rrjetet sociale.
Rusia ende nuk ka komentuar mbi sulmet, por ministria e saj e Mbrojtjes thotë se forcat e saj ajrore kanë rrëzuar ose kapur 69 dronë ukrainas në disa rajone ruse.
Sulmet e natës ndaj Ukrainës vijnë ndërsa Vladimir Putin ashpërson paralajmërimet e tij ndaj Perëndimit që të mos i vijë në ndihmë vendit të sulmuar./vizionplus