Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të qetësonte liderët europianë gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke theksuar se SHBA mbetet e angazhuar ndaj aleancës transatlantike, por paralajmëroi se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Rubio nënvizoi historinë e përbashkët mes dy kontinenteve, duke e cilësuar Amerikën si “fëmijë të Europës” dhe duke theksuar se fatet e tyre janë të ndërthurura. Mesazhi i tij u prit pozitivisht nga aleatët, sidomos pas tensioneve të krijuara një vit më parë nga deklaratat kritike të zëvendëspresidentit JD Vance ndaj politikave europiane.

Megjithatë, kryediplomati amerikan dha një paralajmërim të qartë: Uashingtoni mund të veprojë i vetëm nëse vendet europiane nuk rrisin rolin e tyre në mbrojtje dhe nuk ndërmarrin reforma në bashkëpunimin ndërkombëtar. “Duam aleatë që mund të mbrojnë veten, në mënyrë që asnjë kundërshtar të mos guxojë të testojë forcën tonë kolektive,” tha ai.

Presidenti Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht Europën për varësinë nga mbështetja amerikane, veçanërisht në fushën e sigurisë, duke kërkuar rritje të shpenzimeve të NATO-s. Aleatët janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për drejtimin e politikës së jashtme amerikane, sidomos pas kërcënimeve për tarifa tregtare, idesë për të marrë nën kontroll Groenlandën dhe reduktimit të ndihmës ndërkombëtare.

Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se është hapur një përçarje mes Europës dhe SHBA-së, duke vënë në pikëpyetje pretendimin amerikan për lidership global.

Rubio pranoi se “bota e vjetër ka marrë fund” dhe se vendet po jetojnë në një epokë të re gjeopolitike, por theksoi se preferenca e SHBA-së mbetet bashkëpunimi me Europën. “Ne i përkasim njëri-tjetrit,” u shpreh ai, duke shtuar se Uashingtoni kërkon aleatë që ndajnë të njëjtat vlera dhe janë të gatshëm t’i mbrojnë ato.

Fjalimi kishte një ton më të butë se ai i një viti më parë, por mesazhi mbeti i njëjtë: reforma për të forcuar partneritetin, ose rreziku i një distance më të madhe mes dy anëve të Atlantikut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu