Prej disa ditësh aksi rrugor që lidh Tiranën me juglindjen e vendit vijon të jetë i bllokuar për shkak të shembjeve dhe rrëshqitjeve në segmentin Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës.

Ndërkohë, sipas raportimeve të Balkanweb, kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në qytetin e Korçës dhe, për shkak të bllokimit të rrugës, ka zgjedhur të udhëtojë me helikopter.

Sipas të njëjtave burime, Policia e Korçës është njoftuar se kreu i qeverisë pritet të zbresë me helikopter rreth orës 11:00, për inaugurimin e Polit të Dijes.

Nga Kryeministria nuk ka pasur një njoftim zyrtar lidhur me këtë takim, ndërsa mediat lokale në Korçë kanë raportuar mbi vizitën e paralajmëruar.

Kujtojmë se sot në mesditë ishte planifikuar hapja e segmentit të dëmtuar pas ndërhyrjeve me by-pass, por gjatë orëve të para të mëngjesit ndodhën sërish rrëshqitje masive dheu, duke bërë që planet të anulohen.

Madje, edhe mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e rrugës janë zhvendosur nga zona për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe paqëndrueshmërisë së terrenit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu