Një konflikt i rëndë mes fqinjëve ka përfunduar me përdorimin e armës dhe plagosjen e një çifti në fshatin Gosë të Rrogozhinës, këtë të premte në mëngjes.

Autori i ngjarjes është identifikuar si Shpëtim Osma, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri mbi fqinjët e tij, çiftin Sami dhe Nadire Disha. Sipas burimeve zyrtare, burri është plagosur në këmbë, ndërsa gruaja në bark, por të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:15, pas një debati që dyshohet se nisi për motive banale – lehja e qenit të çiftit Disha, që sipas Osmanit e shqetësonte prej kohësh. Ai ka deklaruar se i kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur fqinjëve ta largonin kafshën, por përplasjet mes tyre ishin acaruar.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Osma ka pretenduar se kishte qëlluar drejt qenit, por përfundimisht ka goditur aksidentalisht pronarët.

Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi i krimit dhe u fsheh, ndërsa zona u rrethua nga forcat e shumta të Policisë së Durrësit, përfshirë edhe ato operacionale. Më vonë, Osma u vetëdorëzua pranë efektivëve të rendit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar armën e përdorur dhe po marrin në pyetje dëshmitarët.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu