
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një postim ku thekson se portali gjerman, WEB.DE e ka cilësuar Shqipërinë në listën e destinacioneve europiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
WEB.DE shkruan se qytetet dhe fshatrat e vendit tërheqin shumë turistë, duke mos lënë pa përmendur dhe rivierën në jug.
Në raportimin e medias gjermane shkruhet: “Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (+137%) dhe El Salvador (+81%) shënuan rritje edhe më të mëdha. Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër.
Por qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë tërheqin gjithashtu udhëtarë. Përveç kryeqytetit Tiranë, vlen të vizitohen edhe qyteti historik i Gjirokastrës dhe qyteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati. Me fshatrat tradicionale, qytetet e gjalla dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria konsiderohet një alternativë e vlefshme dhe e përballueshme për vendet e tjera të Mesdheut. Nëse dëshironi të përjetoni vendin në një mjedis relativisht të qetë, duhet të planifikoni pushimet tuaja atje së shpejti duke pasur parasysh numrin në rritje të vizitorëve!”.
Kryeministri Rama i ka dhënë “zë” këtij lajmi, duke shkruar: “Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve europiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
Sipas WEB.DE, Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës vibrante, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së ITB Berlin ku Shqipëria është Vendi i Nderit”.