Paralajmërimi për rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri ka sjellë reagime në politikë. Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve kanë paralajmëruar një rritje të menjëhershme të çmimit me rreth 20 lekë për litër brenda 48 orëve, ndërsa në ditët në vijim çmimi mund të rritet deri në 30–40 lekë për litër.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili e cilësoi paralajmërimin si “makutëri” dhe “babëzi” në dëm të qytetarëve.

Lapaj u shpreh se edhe nëse furnizimi me karburant do të vinte drejtpërdrejt nga burimet e naftës në Iran, do të duheshin ditë apo javë që ai të mbërrinte në Shqipëri, duke theksuar se kompanitë e tregtimit të karburanteve janë të detyruara me ligj të mbajnë rezerva deri në 30 ditë për situata të tilla.

Sipas tij, rritja e paralajmëruar e çmimeve nuk justifikohet me zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe përbën një praktikë që godet drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve.

Lapaj akuzoi gjithashtu institucionet shtetërore se nuk kanë ndërhyrë për të ndalur atë që ai e cilësoi si abuzim nga tregtarët e karburanteve në vend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu