Ka shkuar në katër numri i personave që kanë humbur jetën pas sulmit të së dielës në një kishë në Michigan, ku një person i armatosur përplasi makinën e tij në kishë, hapi zjarr me armë dhe më pas i vuri flakën godinës me benzinë. Nga ngjarja kanë mbetur dhe tetë persona të tjerë të plagosur,

Sipas policisë, sulmi ndodhi në Kishën e Jezus Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në qytetin Grand Blanc, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Detroit-it, gjatë një shërbese të dielën, ku ishin të pranishëm qindra besimtarë.

Autori i sulmit, i identifikuar si Thomas Jacob Sanford, 40 vjeç, nga Burton (Michigan), u vra nga policia në parkimin e kishës, pas shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit.

Siç shkruan BBC, autoritetet po e hetojnë incidentin si një “akt dhune i qëllimshëm”, megjithëse motivi i tij mbetet ende i paqartë.

Shefi i Policisë së Grand Blanc, William Renye, deklaroi në një konferencë për shtyp se dy viktima vdiqën nga plagët e marra me armë zjarri, ndërsa më vonë njoftoi se dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në ndërtesë dhe se disa persona rezultonin ende të zhdukur. Për shkak të dëmeve të mëdha nga zjarri, ndërtesa po kontrollohej edhe natën vonë të dielën.

Sipas Renye, sulmi ndodhi rreth orës 10:25 të mëngjesit me orën lokale, kur Sanford drejtoi automjetin drejt hyrjes së kishës dhe më pas hapi zjarr me një armë automatike, duke qëlluar në drejtim të njerëzve brenda.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe, pas një shkëmbimi zjarri, e neutralizoi autorin vetëm tetë minuta më vonë, në orën 10:33. Autoritetet thanë se agresori kishte përdorur një substancë ndezëse, me shumë gjasa benzinë, për të ndezur zjarrin në godinë.

Shefi i policisë vlerësoi heroizmin e besimtarëve, të cilët arritën të strehojnë fëmijët brenda kishës gjatë sulmit.

Hetuesit janë duke kontrolluar shtëpinë e autorit dhe analizuar të dhënat nga telefoni i tij celular për të zbuluar motivin e mundshëm. Sipas mediave amerikane, Sanford ishte një ish-ushtar i Korpusit të Marinës Amerikane. FBI ka marrë përsipër drejtimin e hetimit dhe ka dërguar ekipe speciale, ekspertë për shpërthime dhe grupe të krizës në vendngjarje, sipas Reuben Coleman, agjent i posaçëm në zyrën e FBI-së në Detroit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit të Michigan njoftoi se po heton gjithashtu kërcënime për bomba në disa vende të tjera, të cilat më pas rezultuan të pavërteta.

Në një deklaratë zyrtare, Kisha e Jezus Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme konfirmoi sulmin dhe shtoi: “Lutemi për paqe dhe shërim për të gjithë të prekurit.”

Presidenti Donald Trump tha se ishte informuar për incidentin dhe konfirmoi se FBI do të udhëheqë hetimin në nivel federal. Në një postim në “Truth Social”, Trump e përshkroi ngjarjen si: “Një tjetër sulm i qëllimshëm ndaj të krishterëve në Shtetet e Bashkuara.”

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, deklaroi në një postim në X (ish-Twitter): “Një akt i tillë dhune në një vend adhurimi është tronditës dhe i dhimbshëm. Ju lutem bashkohuni me mua në lutje për viktimat e kësaj tragjedie.”/klan lajme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu