Një det me rrënoja, hi dhe heshtje. Kështu e përshkruajnë gazetarët ndërkombëtarë pamjen e Rripit të Gazës, të filmuar nga ajri gjatë fluturimeve humanitare që lëshojnë ndihma për popullatën civile. Pamjet e shpërndara fillimisht nga televizioni francez Métropole 6 (M6) dhe më pas nga agjencia Reuters, tregojnë një realitet tronditës: Gaza është shkatërruar pothuajse tërësisht pas më shumë se 20 muajsh bombardime nga forcat izraelite.

Edhe kanali britanik ITV publikoi pamje të ngjashme, ndërsa gazetarja Emma Murphy deklaroi se mbi Gazë janë hedhur më shumë se 100.000 ton eksploziv – më shumë se bombardimet mbi Londrën, Drezdenin dhe Hamburgun gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Kalova mbi Gaza para një viti e gjysmë. Më dukej si tragjedi atëherë, por tani është e paimagjinueshme,” tha ajo.

Pamje të ngjashme sollën edhe gazetari Lorenzo Tondo dhe fotografi Alessio Mamo nga e përditshmja britanike The Guardian. Në raportin e tyre shkruhet qartë:
“Gaza nuk u zhduk nga një katastrofë natyrore. Ajo u rrafshua nga një fushatë ushtarake që e ktheu një qytet të gjallë në një peizazh apokaliptik.”

Një vit më parë, aty kishte tregje, fëmijë që luanin dhe jetë normale nën vështirësi. Sot, Gaza është kthyer në një gërmadhë të heshtur ku mbijetesa është luks dhe shpresa po shuhet çdo ditë.

Për shkak të rrethimit dhe pamundësisë për të hyrë në territor, këto pamje ajrore janë ndër të vetmet dëshmi që tregojnë gjendjen reale të një prej krizave më të rënda humanitare të kohëve moderne.

Sipas OKB-së, situata në Gaza është në nivelin më të lartë të emergjencës, ndërsa më shumë se dy milionë banorë përballen me mungesë të ushqimit, ujit dhe ndihmës mjekësore.

Pamjet e shpërndara sot janë një dëshmi e qartë:
Rripi i Gazës, siç e njihnim, nuk ekziston më.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu