
3 Qershor 2025 – Krizë politike në Holandë, pas tërheqjes së udhëheqësit të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, nga koalicioni qeverisës. Wilders, kreu i Partisë për Liri (PVV), njoftoi sot largimin e partisë së tij nga koalicioni, duke çuar në rrëzimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Shkak për këtë vendim është bërë mosmarrëveshja për politikat e migracionit, pasi plani i tij dhjetëpikësh për kufizimin e azilit dhe migracionit nuk u përfshi në marrëveshjen qeveritare.
“Nuk kishte asnjë nënshkrim në planin tonë të azilit (…) PVV po largohet nga koalicioni”, shkroi Wilders në rrjetin social X.
Plani i Wilders përfshinte masa drastike si:
- Mbyllja e kufijve për azilkërkuesit
- Ndalimi i bashkimit familjar për refugjatët
- Mbyllja e qendrave të azilit
- Forcimi i kontrolleve kufitare
- Dëbimi i shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë të dënuar për vepra penale
Shumë ekspertë politikë dhe ligjorë kanë e cilësuar planin si të pazbatueshëm dhe të paligjshëm, ndërsa disa vlerësojnë se Wilders e ka nxitur qëllimisht këtë krizë për të çuar vendin në zgjedhje të reja, duke synuar të forcojë më tej pozitat e tij.
Ky zhvillim pritet të krijojë një periudhë pasigurie politike në Holandë, ekonominë e pestë më të madhe të BE-së. Kriza vjen në një moment kritik, pasi Holanda pritet të presë samitin e NATO-s këtë muaj, ndërkohë që do të drejtohet nga një qeveri e përkohshme.
Edhe pse PVV mbetet partia më e votuar sipas sondazheve, avantazhi i saj ndaj koalicionit Laburist-Të Gjelbër të udhëhequr nga Frans Timmermans është ngushtuar ndjeshëm. Partia liberale VVD gjithashtu mbetet një aktor i rëndësishëm në skenën politike holandeze.