
Dy persona nga Kosova, me inicialet XH.P. (41) dhe D.M. (64), kanë mbetur të plagosur, pasi një avion i vogël sportiv u rrëzua në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja është regjistruar të enjten më 11 dhjetor rreth orës 12:35, sipas njoftimit zyrtar të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Avioni ka rënë në ujërat e Liqenit të Mavrovës, në zonën pranë digës së njohur si “Kanali i Beliçit”.
Autoritetet bëjnë të ditur se të dy personat e ndodhuri në bord kanë arritur të dalin vetë në tokë pas rrëzimit. Piloti, D.M., së bashku me pasagjerin XH.P., kanë pësuar lëndime trupore dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Gostivarit për trajtim mjekësor.
Menjëherë pas marrjes së thirrjes, forcat policore të Stacionit të Mavrovës kanë shkuar në vendngjarje për të ndihmuar dhe për të nisur hetimet rreth aksidentit. Gjatë deklarimit paraprak, piloti D.M. ka shpjeguar se avioni ka humbur kontrollin për shkak të një defekti në motor, duke e detyruar atë të bënte ulje emergjente mbi sipërfaqen e liqenit.
Autoritetet po vijojnë me procedurat hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit./tvklan.al






