
Një ortek dëbore ka bllokuar plotësisht aksin rrugor Qafë Thore–Theth, pranë tuneleve panoramike, duke ndërprerë qarkullimin për të gjitha automjetet. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri të ditur se, për arsye sigurie, rruga do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të dytë, pasi zona paraqet rrezik të lartë për kalim, madje edhe për mjetet borëpastruese.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të shmangin këtë segment dhe të ndjekin komunikimet zyrtare për çdo përditësim mbi situatën. Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar qarkullimin në zonat malore, duke rritur rrezikun për bllokime të tjera gjatë ditëve në vijim.






