
Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është bllokuar plotësisht, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet.
Shkak i situatës janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve, me dhjetëra e qindra metra kub material shkëmbor që kanë rënë mbi trasenë e rrugës në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”. Masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve.
Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me juglindjen e Shqipërisë.
Në terren ndodhen forca të shtuara të Policisë Rrugore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të menaxhojnë trafikun. Megjithatë, ende nuk ka një zgjidhje konkrete, ndërsa raportohet për mungesë mjetesh nga kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e segmentit, si dhe për mungesë ndërhyrjesh teknike për largimin e masiveve të gurëve.
Ndërkohë, kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd–Dragostunjë–Hotolisht, e cila sipas burimeve në terren konsiderohet shkaktare direkte e situatës, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim minimal për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit.
Kjo neglizhencë rrezikon paralizimin për shumë orë të këtij aksi jetik, duke shtuar indinjatën e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.



