
Në fshatin Leskovec të Prizrenit ka pasur rrëshqitje të dheut duke rrezikuar disa familje.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e familjeve të prekura nga rrëshqitja e dheut në një lagje të fshatit Leskovec, një situatë e cila po trajtohet me shqetësim dhe përkushtim të lartë institucional.
Në njoftimin e bërë nga komuna thuhet se pas inspektimeve në terren dhe vlerësimeve nga ekspertët, është konstatuar se rrëshqitja e dheut është aktive dhe paraqet rrezik serioz për disa shtëpi dhe për jetën e banorëve që banojnë aty.
Në disa zona është evidentuar çarje dhe zhvendosje e tokës deri në 1.5 metra thellësi dhe mbi 50 metra gjatësi.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e kabinetit, inspektoratit, emergjencave dhe shërbimeve publike, Kryetari Totaj ka marrë vendime të qarta dhe të menjëhershme:
• Të bëhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve nga shtëpitë e rrezikuara;
• Të sigurohen banesa të përkohshme dhe të sigurta për këta qytetarë;
• Komuna do të mbulojë qiranë për familjet e evakuuara deri në zgjidhjen e përhershme të problemit.
Kryetari Totaj thekson se siguria e qytetarëve është prioriteti kryesor i institucionit komunal, dhe se veprimet do të vazhdojnë me vendosmëri dhe transparencë për të ofruar mbrojtje dhe zgjidhje afatgjate për këtë situatë. /Telegrafi/