
Rregulla të reja dhe shtim kompetencash për Policinë e Shtetit janë botuar në Fletoren Zyrtare ditët e fundit, ku vërehet ndërhyrje në një sërë mënyrash që do të jenë risi për aktivitetin e saj.
Polici, sipas kësaj rregulloreje jo vetëm ka të drejtë të të shoqërojë, por edhe të të ndalojë dhe arrestojë përkohësisht, ku janë përcaktuar edhe shkaqet se kur mund t‘i kryejnë këto veprime. Referuar rregullores mësohet se policët duhet ta informojnë qytetarin ndërkohë që pas këtij informimi mund të kryejnë edhe veprimet e mësipërme për ta shoqëruar në ambientin më të afërt policor, ku ky shoqërim thuhet se mund të bëhet ose në këmbë, ose me mjete të ndryshme, që nga ato privatet e deri tek ato të policisë. Ndërsa në lidhje me rekrutimin, në nivele të larta, kompetencat i kalojnë kreut të Policisë së Shtetit, thotë rregullorja e re.
RREGULLORJA
Rregullorja e re, e botuar në Fletoren Zyrtare detajon me hollësi kompetencat, mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë, si dhe risitë e pranimit të donacioneve dhe lejimin e mësimdhënies. Policët duhet të identifikohen te qytetarët dhe t’i informojnë paraprakisht për arsyen e ndalimit, duke i kërkuar fillimisht zbatimin vullnetar të urdhrit të ndalimit dhe zbrazjen e mjeteve të rrezikshme.
Mënyrat e zbatimit të ndalimit të përkohshëm policor përfshijnë shoqërimin në këmbë, nga vendi ku ndalohet personi deri në strukturën përkatëse policore; ose me automjetin e shërbimit policor apo mjete të tjera, që merren apo vihen në dispozicion të Policisë.
Në raste të veçanta, kur verifikimi i identitetit të personit nuk është i mundur struktura përkatëse policore bën publike pamje, regjistrime ose përshkrime të personit, për të mundësuar identifikimin e tij, duke i shfaqur në mediat e shkruara dhe në ato audiovizive vendore ose kombëtare për aq kohë sa është e nevojshme.
Rregullorja përcakton, gjithashtu, veprimtaritë e lejueshme private për punonjësit e Policisë, që mund të kryhen jashtë detyrës e që nuk përbëjnë konflikt interesi dhe që nuk lidhen drejtpërdrejt më veprimtarinë policore.
Llojet e veprimtarive private mund të jenë nga mësimdhënia deri te kurset profesionale, palestrat sportive, menaxhimi i bizneseve, konsulencë në fusha të teknologjisë, menaxhimit të projekteve jashtë veprimtarisë policore; investime në pasuri të paluajtshme, veprimtari imobilare, dhënie me qira shitje dhe blerje të pronave. Në asnjë rast, ushtrimi i veprimtarive private apo dytësore nuk duhet të ndikojë në ushtrimin e detyrave, kohën e punës dhe veprimtarinë policore.
LEJET DHE DETYRAT
Për herë të parë, Policia e Shtetit vlerëson dhe pranon donacione përjashtimisht vetëm nga subjekte, të cilat plotësojnë kriteret ligjore sipas nenit 139, të ligjit nr. 82/ 2024, “Për Policinë e Shtetit”, dhe legjislacionit në fuqi mbi konfliktin e interesit.
Sa i përket të drejtës së pushimit vjetor, rregullorja përcakton se për punonjësit e Policisë është 30 deri në 40 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas vjetërsisë dhe gradave. Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara: 40 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Drejtues” deri “Drejtues madhor”; 35 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Nënkomisar”, “Komisar” dhe “Kryekomisar”.
30 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Inspektor”. Pushimet vjetore mund të jepen të ndara në ditë kalendarike, me miratimin e titullarit përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës. Në rastet e fatkeqësisë, familja e punonjësit, që jetonte me punonjësin e Policisë në kohën e humbjes së jetës për shkak të detyrës, në ditën përkujtimore të punonjësit, përfiton ndihmë financiare në masën e një page mujore referuese, e njësuar si pagë mujore, në kohën e dhënies së kësaj pagese.
Paga mujore referuese e punonjësit të Policisë përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune që kishte punonjësi, e cila njësohet si pagë mujore, në kohën e dhënies së kësaj pagese. Dhënia e ndihmës financiare miratohet nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe përballohet nga buxheti i miratuar i njësive shpenzuese përkatëse në Policinë e Shtetit.
Një tjetër risi është kompetenca për rekrutimin në nivelet e larta drejtuese. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit shpall vendet vakante për funksionet zëvendës drejtor të Përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit, e cila qëndron e hapur për 7 (shtatë) ditë./Gazeta Panorama