Në kryeqytetin që po ndryshon me ritme të shpejta, monopatinat janë bërë një mjet i preferuar për të lëvizur në qytet, por bashkë me lehtësinë që ofrojnë, po shtohet edhe nevoja për rregulla të qarta dhe siguri për këmbësorët dhe drejtuesit.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, njoftoi se së shpejti do të vendosen rregulla të reja për qarkullimin me monopatina në Tiranë, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Së shpejti, rregulla të reja për lëvizjen me monopatina në Tiranën e dashur, ku nevoja për të lëvizur shpejt duhet bashkërenduar me sigurinë për të gjithë qytetarët,” – shkroi Gogu në një postim në rrjetet sociale, duke përdorur hashtagët #TiranaPërTëGjithë, #SiguriaRrugore dhe #monopatet.

Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se drafti përfshin zona të dedikuara për monopatina, kufizime shpejtësie, si dhe masa ndëshkuese për përdorimin e pasigurt apo parkimin në vende të papërshtatshme.

Qëllimi është të përmirësohet siguria rrugore dhe të përafrohen standardet e Tiranës me ato të qyteteve europiane, duke e bërë lëvizjen moderne edhe më të përgjegjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu