
Një rrëfim prekës ka ardhur nga Bledar Fetollari, babai i 12-vjeçarit shqiptar që humbi jetën rreth 10 ditë më parë në lumin Araktos, në qytetin e Artës në Greqi. I ardhur si emigrant për të punuar në bujqësi, pa dokumente dhe me shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjen, ai rrëfen momentet e dhimbshme kur mësoi për tragjedinë që i ndryshoi jetën përgjithmonë.
“Unë isha në shtëpi atë ditë, nusja ishte në punë. Më mori një komshi dhe dola për pak, djalin e lashë në shtëpi. Kur u ktheva, nuk ishte më aty. Kishte marrë dy euro që i kisha lënë mbi frigorifer dhe kishte dalë. Pak më vonë, më telefonon një djalë, Leo, që ishte me të dhe i shpëtoi nga lumi. Më thotë: ‘Hajde se po të mbytet djali!’”, kujton me lot në sy Fetollari.
I trembur dhe i tronditur, vrapoi drejt vendit të ngjarjes ku mësoi se djali i tij ishte nxjerrë nga uji pa ndjenja dhe u transportua me urgjencë në spital së bashku me mikun e tij. Për disa ditë, zemra e djalit vazhdoi të rrihte përmes aparaturave mjekësore, por shpresat për të mbijetuar u shuan.
“Doktorët më pyetën nëse doja ta shihja për herë të fundit, por nuk munda. I thashë vetëm: nëse zemra e djalit tim mund të shpëtojë dikë tjetër, jepjani. Nuk ka rëndësi nëse është grek, shqiptar apo gjerman. Vetëm zemra e tij të jetojë diku”, rrëfen Bledari, duke theksuar se vendimi për të dhuruar organet e të birit ishte akt dashurie, jo interesi.
Pas dy ditësh qëndrimi në Greqi, ai mori trupin e djalit dhe u kthye në Shqipëri, ku aktualisht ndodhet në shtëpinë e vjehrrës, në kushte të vështira ekonomike.
“Unë nuk kam shtëpi. Për një shtëpi u nisa, për një të ardhme. Por Zoti më ktheu me një sprovë të rëndë. Ai na jep dhe Ai na merr. Ky djalë ishte si dritë për mua, fëmija i pleqërisë, dhe sot nuk e kam më…”, tha ai.
Në fund të rrëfimit, Bledari bën një apel të ndjerë:
“Të gjithë atyre që mund të ndihmojnë sadopak, u them se edhe më e vogla ndihmë është e madhe për mua. Vajta për një hall, për një ëndërr të vogël, por tani vetëm Zoti e di si po jetoj…”
🖤 Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë familjen Fetollari, çdo kontribut, përkrahje apo fjalë ngushëllimi ka vlerën e një drite në errësirën e tyre të dhimbshme.