
Rossmann-Lala sh.p.k. ka reaguar zyrtarisht pas njoftimit të prodhuesit Nestlé për tërheqjen nga tregu të disa produkteve BEBA, duke deklaruar se ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme në përputhje të plotë me procedurat ligjore dhe standardet evropiane.
Sipas deklaratës, pas publikimit të lajmit në media, kompania sqaron se në pikën e shitjes “9-Katëshet” në Tiranë, si edhe në të gjitha pikat e tjera të Rossmann-Lala në Shqipëri dhe Kosovë, janë respektuar dhe zbatuar plotësisht të gjitha masat dhe procedurat e përcaktuara, përfshirë vendosjen e njoftimeve informuese për klientët.
Masat e marra menjëherë:
Largimi i menjëhershëm i produkteve të prekura nga raftet e shitjes në të gjitha pikat në Shqipëri dhe Kosovë
Vendosja e njoftimeve informuese për klientët në të gjitha pikat e shitjes
Njoftimi i menjëhershëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), në përputhje me kërkesat ligjore
Çfarë dihet deri tani
Tërheqja është një masë paraprake e ndërmarrë nga Nestlé për shkak të pranisë së mundshme të bakterit Bacillus cereus. Sipas deklaratës, nuk ka raportime të konfirmuara për raste sëmundjesh të lidhura me konsumin e produkteve të prekura.
Nestlé ka vendosur të zbatojë këtë tërheqje në përputhje me standardet e saj të rrepta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore. Për informacione të mëtejshme, konsumatorët mund t’i referohen faqes zyrtare të Nestlé.
Në deklaratë theksohet se siguria e foshnjave mbetet prioritet absolut për kompaninë.




