Pas koncertit të Al Banos në Rusi, reagimet nuk kanë munguar, dhe një ndër më të fortat ka ardhur nga bashkëshortja e dikurshme dhe partnerja e tij skenike, Romina Power. Ajo është distancuar publikisht nga vendimi i Al Banos për të interpretuar këngën e famshme “Felicità” në një koncert të mbajtur në Shën Petersburg, në një kohë kur Rusia ndodhet në qendër të vëmendjes botërore për agresionin ndaj Ukrainës.

“Nuk është as vendi, as momenti për të kënduar ‘Felicità’”, shkruan Power në një histori në Instagram, duke theksuar se nuk ka pranuar të jetë pjesë e këtij koncerti dhe është distancuar nga performanca në fjalë.

Mediat italiane si Corriere della Sera, La Repubblica dhe Il Fatto Quotidiano kanë reflektuar shqetësimin në rritje të publikut dhe artistëve për atë që quajnë një “normalizim të papranueshëm të Rusisë përmes kulturës”. Kritikët e kanë cilësuar pjesëmarrjen e Al Banos si “të papërgjegjshme”, duke theksuar se arti nuk duhet të përdoret për të larë imazhin e një shteti që është nën sanksione ndërkombëtare dhe në mes të një lufte brutale.

Vendimi i tij ka ngjallur debate edhe në opinionin publik italian. Disa e shohin koncertin si një veprim të ndarë nga politika, ndërsa të tjerë si një akt të gabuar në kohën dhe vendin e gabuar.

Romina Power, me një qëndrim të prerë, ka dashur të jetë e qartë: ajo nuk është pjesë e këtij mesazhi dhe nuk dëshiron të keqinterpretohet si bashkëpunëtore në këtë aktivitet. Me këtë distancim, ajo përforcon mesazhin se artistët, pavarësisht famës, kanë përgjegjësi morale në skenat ku ngjiten.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu