
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qendrën historike të Romës. Rreth orës 11:20 të paradites një pjesë e “Torre dei Conti”, një kullë mesjetare pranë Forumeve Imperiale, është shembur gjatë punimeve restauruese. Katër punëtorë janë shpëtuar, ndërsa një tjetër — një shtetas rumun — vijon të jetë i bllokuar nën rrënoja. Operacionet e shpëtimit vijojnë me vështirësi, për shkak të rrezikut të një tjetër shembjeje.
View this post on Instagram
Sipas prefektit të Romës, Lamberto Giannini, punëtori i mbetur nën rrënoja është ende gjallë, por situata mbetet “jashtëzakonisht delikate”. “Kemi arritur të vendosim kontakt me të, por një tjetër cënie e strukturës e bëri ndërhyrjen edhe më të rrezikshme”, deklaroi Giannini, duke shtuar se stabiliteti i ndërtesës është seriozisht i komprometuar.
Rreth orës 13:00 ndodhi një tjetër shembje e pjesshme e kullës, e cila shkaktoi një re të dendur pluhuri dhe detyroi forcat e emergjencës të tërhiqeshin përkohësisht. Një zjarrfikës u lëndua lehtë dhe u dërgua në spital. Ndërkohë, Prokuroria e Romës ka hapur hetimet me qëllim përcaktimin e shkaqeve të incidentit dhe respektimin e masave të sigurisë gjatë punimeve restauruese.
Në vendngjarje ndodhen kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, ministri i Kulturës Alessandro Giuli dhe zyrtarë të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Kulla, një nga simbolet më të vjetër të Romës mesjetare, daton që nga viti 1203 dhe dikur arrinte një lartësi prej mbi 50 metrash.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Itali, ndërsa një koment ironik i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, që lidhte shembjen me ndihmën italiane për Ukrainën, ka ngjallur reagime të ashpra politike në vend.







